UDHËTIMI I NJË SHPIRTI TË TORTURUAR
Kujtim
Siç iu rrëfye
JAEL EJLAT-TANAKA-s
Të drejtat e autorit © 2016, nga Jael Ejlat-Tanaka
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, shpërndahet, ose transmetohet në ndonjë formë ose me ndonjë mjet, duke përfshirë fotokopjimin, regjistrimin, ose metoda të tjera elektronike ose mekanike, ose me ndonjë sistem të ruajtjes dhe rikuperimit të informacionit pa lejen paraprake me shkrim të botuesit, përveç në rastin e citateve shumë të shkurtra të mishëruara në rishikime kritike dhe përdorime të caktuara jo-tregtare të lejuara nga ligji i të drejtës së autorit.
PARATHËNIE
Këto janë kujtimet, siç m’i ka treguar nëna ime. Jam përpjekur ta tregoj historinë e saj me aq përpikmëri sa ma tregoi ajo, duke i renditur ditaret e shkruara, së bashku me anekdota të ndryshme që plotësuan dhe u dhanë shije historive gjatë jetës sime, pa zbukurime, duke ndërfutur interpretimet e mia të ngjarjeve. Ky nuk është një roman ankthi, ndonëse ngjarjet e treguara këtu sigurisht që ishin ankth për ata që i përjetuan. Pa dyshim që ato më dukeshin të ankthshme ndërsa i dëgjoja dhe i lexoja. Kështu që, për të shmangur sikletin për këdo që lexon këto fjalë, kam zgjedhur të përdor pseudonime sipas rastit, ndërsa përpiqesha të mbaja të pandryshuar thelbin e historisë.
Nëna ime ishte franceze dhe, herë pas here, disa fjalë dhe fraza frëngjisht shfaqen në të gjithë tekstin. Kam përfshirë përkthime kudo që është e përshtatshme. Gjithashtu, ajo jetoi dhe studioi në Itali para se të transferohej në Izrael dhe, përfundimisht, në Shtetet e Bashkuara. E thënë sërish, aty ku fjalët dhe frazat përfshihen në ato gjuhë, kam përfshirë përkthime me sa kam pasur mundësi.
Do të doja t’i ofroja lexuesit kënaqësi në këtë rrëfim, por ngjarjet në të janë pa dyshim tepër të dhimbshme për të ofruar kënaqësi. Më dhemb zemra për nënën time – dhe për kaq shumë të tjerë që kanë kaluar vuajtje të ngjashme, madje dhe më keq.
Jael Ejlat-Tanaka
Tampa 2016
PROLOG
Kjo nuk është autobiografi. Çdo fjalë e shkruar këtu është aq e vërtetë sa mund të jenë kujtimet e mia, të filtruara përmes kalimit të kohës dhe përvojave të mia. Megjithatë, shumë gjëra janë hequr nga respekti për ata që nuk janë më mes nesh, të cilët nuk mund të korrigjojnë çfarëdo ngjarje që mund të shihet vetëm nga këndvështrimi i tyre. Situata të tjera janë lënë jashtë për të shmangur çdo siklet për ata që janë akoma mes nesh.
Qëllimi i këtyre faqeve është të regjistrojnë pjesë të spikatura të jetës sime, që kurrë nuk kam pasur mundësinë t’i përshkruaj plotësisht. Po mendoj në veçanti për vajzën time, të cilën nuk doja ta lodhja me histori për ngjarje që kanë ndodhur para se ajo të lindte ose ndërsa po rritej. Më pas dolën në pah probleme më të ngutshme të jetës dhe u duk se këto kujtime ua linin gjithnjë vendin shqetësimeve më të drejtpërdrejta. Megjithësese e kaluara jonë është e ngulitur përgjithmonë në kujtesën time, ndonjëherë në skema të ngatërruara dhe të shtrembëruara, për të qenë të sigurt, por, megjithëkëtë, kujtimet tona janë pëlhura e asaj që na bën atë që jemi, duke përshkuar çdo qelizë të qenies sonë. Jam përpjekur të shoh gjithnjë përpara një të ardhme më të ndritur sesa të merrem me të kaluarën, ndonëse e kaluara ka qenë gjithmonë një pjesë e pashmangshme e asaj që isha bërë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë vetë ngjarjet; në rastin më të mirë, mund të rimodelojmë vetëm pikëpamjen dhe kuptimin e atyre ngjarjeve. Jo gjithmonë kam qenë e suksesshme.
KAPITULLI 1
FËMIJËRIA
I njoh shumë pak gjyshërit e mi. Kam vetëm kujtime të paqarta nga ana amtare e familjes, por kam një kujtim shumë më të gjallë të gjyshes sime atërore, Memé, e cila ishte një prani shumë e fortë në familjen tonë. Babai im ishte fort i lidhur me të. Ajo ishte matriarkja në familje, duke lënë në hije nënën time, për zhgënjimin e thellë të kësaj të fundit. Kur vajza ime u rrëmbye nga babai i saj, Memé më tha se ajo, vetë, ishte divorcuar nga martesa e saj e parë fatkeqe.
Familja ime rrjedh nga Turqia dhe kujtimet e mia për historitë e fëmijërisë përfshijnë jetën e paraardhësve të mi dhe kulturën e tyre. Babai im tregonte historinë e gjyshit tim, që i solli Sulltan Hamidit, këshilltar i të cilit ai kishte qenë, një papagall të bukur që e kishte kapur në tokën e tij, ose të kthimit nga vreshtat pas korrjes së rrushit, me fëmijët e hipur mbi gomerë dhe, teksa kalonin varrezat në muzg, të rriturit u tregonin atyre historitë e të vdekurve dhe fëmijët do të hapnin sytë, të tmerruar për atë që imagjinonin se çfarë po ndodhte.
Megjithëse nuk e njihja gjyshin tim, ai ishte një hebre shumë fetar dhe, si i tillë, respektoi traditën e mosrruajtjes asnjëherë të mjekrës. Nëse një flok i vetëm do të binte prej tij, ai do ta ruante atë në librin e tij të lutjeve. Ai mori një grua të re, gjyshen time Memé, pasi ajo u divorcua nga burri i saj i parë abuzues dhe kishte braktisur djalin e saj të parëlindur. Ai vetë kishte rritur fëmijë më të mëdhenj në moshë se ajo, të cilët e persekutonin, kurse ai vetë e trajtonte me dashuri dhe respekt.
Këto kujtime të pakta janë gjithçka që kam për origjinën time. Copëza të vogla të fëmijërisë sime, të mbushura mbase me disa fotografi dhe anekdota nga anëtarët e tjerë të familjes sime.
Nëna ime ishte gjithashtu turke. Nga historitë e saj të rinisë në Izmir, ajo dhe familja e saj jetuan në lagjen greke dhe armene të Izmirit. Gjyshi im kishte një dyqan porcelani e qelqi dhe i dërgoi fëmijët e tij në një shkollë misionare, të udhëhequr nga misionarë protestantë skocezë. Më kujtohet se si nëna ime rrezellinte kur këndonte himnet që kishte mësuar në shkollë dhe fliste për Z. Marrej, drejtorin, i cili e thërriste që ajo të vinte dhe të qëndronte në rreshtin e parë, në mënyrë që ai ta dëgjonte më mirë duke kënduar. Sigurisht, ato ishin himne fetare dhe emri i Jezusit dëgjohej shpesh në shtëpi, gjë që nuk i pëlqente fort babait tim.
Duke jetuar midis grekëve dhe armenëve, nëna ime mësoi t’i flasë ato gjuhë dhe të këndonte këngët e tyre, gjë që më entuziazmoi si vajzë e vogël. Ende i mbaj mend disa prej tyre, edhe pse nuk ua mësova kurrë kuptimin. Ato këngë më dukeshin shumë romantike dhe shpesh i kërkoja nënës të më mësonte greqisht. Meqenëse ajo ndoqi një shkollë misionare skoceze, i gjithë shkollimi i saj u mbajt në anglisht dhe ajo mbeti e rrjedhshme në këtë gjuhë gjatë gjithë jetës së saj.
Natyrisht, ajo fliste rrjedhshëm edhe turqisht. Kur të rriturit në shtëpi nuk dëshironin që fëmijët të kuptonin diçka, ata e kalonin bisedën në gjuhën turke kur flisnin mes tyre, derisa fëmijët të fillonin të kuptonin thelbin e bisedave të tyre.
Kur ishte grua e pamartuar, shoqja më e mirë e nënës sime në Izmir ishte Alegra Romano. Të dyja bënin gjithçka së bashku. Kam gjetur disa fotografi të të dyjave me disa mbishkrime në anën e pasme nga nëna ime për Alegrën, të shkruara në frëngjisht. Nëna ime dhe familja e saj emigruan në Francë pas Luftës së Parë Botërore, ashtu si edhe shoqja e saj, Alegra, dhe të dyja mbetën mikesha; përfundimisht, ato u martuan me dy vëllezër, babanë tim dhe xhaxhain tim, Rafaelin. Sidoqoftë, për shkak se babai im ishte shumë i dashuruar me nënën time dhe xhaxhai im, Rafaeli, ishte më tepër qejfli, tezja ime Alegra u bë fort xheloze dhe u inatos ndaj nënës sime, ndaj dhe miqësia e tyre u prish. Besoj se nëna ime ende e donte dhe e ndjente shumë mungesën e saj, pavarësisht nga përkeqësimi i marrëdhënies së tyre.
Kur nëna ime dhe familja e saj po jetonin ende në Izmir gjatë Luftës së Madhe, ata ishin dëshmitarë të masakrave të tmerrshme të komuniteteve greke dhe armene nga turqit, ngjarje e cila, që nga ajo kohë, është quajtur gjenocid. Kjo i trembi aq shumë sa nëna ime vuajti për një kohë të gjatë me ulçera të stomakut dhe makthe. Egërsia e turqve ndaj grekëve dhe armenëve që jetojnë në Turqi shkaktoi një eksod të jashtëzakonshëm të popullsisë hebreje, që kishte jetuar atje që nga dëbimi i tyre nga Spanja në vitin 1492 nga Izabela