të autorit ose që kanë për qëllim të japin vërtetësi ndaj tregimit. Çdo analogji me faktet, ngjarjet, vendet dhe njerëzit, të gjallë ose të vdekur, është absolutisht e rastësishme.
© Copyright 2013 – Andrea Calò
@ e-mail: [email protected]
Përkthimi i Laureta Berberi
Andrea Calò
NJË FLLUSKË JASHTË
KOHE
۩
Roman
.
Përkthimi i Laureta Berberi
Për të gjithë ata të cilët e dinë
se kanë të paktën një ëngjëll
në Parajsë.
FALËNDERIME
Të shkruash një libër është sikur të nisesh në një udhëtim. Përgatiten valixhet, nisesh nga një pikë e caktuar dhe vazhdon duke u përpjekur të arrish pikën e mbërritjes, destinacionin e dëshiruar. Por, siç ndodh ndonjëherë gjatë një udhëtimi, grackat, gabimet, frikërat dhe të papriturat janë aty gati të na befasojnë, të na ndalojnë, ndonjëherë deri në atë pikë sa të na bëjnë të heqim dorë nga vazhdimi. Me ndihmën e njerëzve që na gjenden pranë ose të atyre që takojmë përgjatë rrugës, arrihet gjithsesi t’ia dalësh mbanë, ndonjëherë me lehtësi, herë të tjera me shumë mundim; por nuk mund të shkelësh kurrë mbi gabime, për të mos humbur investimin e bërë. Gjatë këtij udhëtimi kam patur disa njerëz afër meje, të gjithë më kanë nxitur dhe inkurajuar të vazhdoja rrugën, të realizoja atë ëndërr që prej shumë vitesh mbaja të mbyllur në një sirtar, duke më lejuar t’i hapesha plotësisht asaj, projektin tim.
Faleminderit gruas time Sonias, që më shumë se gjithkush ka besuar tek unë, gjithmonë, për leximin e duruar të bocave bërë që në fazat e hershme të përgatitjes së këtij teksti dhe për diskutimet frytdhënëse që kanë çuar në krijimin e fabulës së këtij romani.
Faleminderit prindërve të mi, që më kanë dhuruar jetën, më kanë rritur dhe shkolluar, duke lejuar që gjithë kjo të transformohej në realitet.
Dhe në fund, por jo e fundit, faleminderit ty Elena, që ke udhëzuar zemrën time dhe udhëhequr mendjen time gjatë gjithë këtij udhëtimi: këtu brenda ka vërtet një pjesë të madhe nga ty.
KAPITULLI 1
Mendoj që një histori si kjo e imja nuk është treguar kurrë. Ndoshta nga frika e gjykimit nga të tjerët, ose ndoshta nga ajo vello e hollë çmendurie që e shoqëron.
Quhem Katherine ose më shkurt Kate, më thonë që kam lindur tridhjetë e gjashtë vite më parë në New York, ku dhe akoma jetoj, me baba italian dhe nënë angleze. Pra gjaku im nuk është amerikan. Data e ditëlindjes sime është shtypur në pasaportë, pranë fotos sime dhe gdhendur me bojë mbi fotografitë e zverdhura nga koha që nëna ime bëri kur isha e vogël. Por, unë jam e bindur që kam jetuar më shumë, shumë më tepër. Ndoshta dyfishin e viteve të mia, nëse marr parasysh edhe ato që unë mendoj të jetuara nga gruaja që isha në jetën time të shkuar. I ruaj të qarta kujtimet, të radhitura me kthjelltësi në mendjen time sikur të flitej për jetën time të tanishme, iu kthehem atyre kur kam dëshirë ose ndiej nevojën ta bëj. Do të mendoni që unë jam një e çmendur e shkretë në një krizë identiteti dhe ndoshta keni të drejtë. Kështu mendonte edhe nëna ime, kur që e vogël i tregoja historitë e miqve të mi të mëdhenj me të cilët flisja dhe ndaja eksperienca dhe ndjenja që mund të jenë pjesë vetëm e jetës së një gruaje, jo të një fëmije. Flisja për njerëz që ajo thoshte se ekzistonin vetëm në mendjen time fëminore. Në vitet e para të jetës sime ajo e pranonte gjendjen time, identitetin tim të dyfishtë, duke ia veshur papjekurisë sime dhe lidhjes sime me lojën. Besonte, në fakt, që unë po luaja, që përpiqesha të interpretoja rolet e një personazhi të krijuar nga fantazia ime dhe që merrte jetë dhe formë përmes fjalëve dhe sjelljeve të mia. Madje, ndihej edhe krenare për gjithë këtë sepse në sytë e saj prej nëne krenare shfaqesha në gjithë unicitetin tim. Ishte e sigurtë, megjithatë, që me kalimin e kohës kjo lojë do të kishte mbaruar vetë ashtu siç kishte nisur, duke më lejuar të hidhja ngadalë hapin për t’u bërë grua. Por, nuk ishte kështu sepse kjo për mua nuk ishte aspak një lojë. Unë i njihja shumë mirë njërëzit me të cilët flisja dhe që ia përshkruaja sime mëje në detajet më të vogla, i shikoja vazhdimisht në ëndërr gjatë netëve. Një lojë nuk lë emocione kaq të forta ose plagë të hapura në shpirt, siç ndodhte në rastin tim. Nëna ime më çoi në mjekë të shquar të mendjes, të paguar mirë për t’i konfirmuar në fund mendime që ajo vetë i kishte tashmë. Ndihej e ngushëlluar nga konfirmimet e tyre për një shërim timin të ardhshëm. ‘Është vetëm një çështje kohe’, i thoshte i ndrituri i radhës. Dhe ajo besonte e përpiktë, pa u privuar kurrë nga ata lotë shpërthimi që i mbushnin sytë, çdo herë. Për të gjithë unë jetoja një identitet të dyfishtë. ‘Vetëm në këtë jetë’, mendoja unë herë pas here. Gjithmonë m’u ndalua të bëja ç‘farëdo gjëje që më lejonte të ripërshkoja të kaluarën time, atë më të largëtën, atë tashmë të zhdukur prej kohësh. Ndoshta më shumë nga frika e nënës sime se një ditë të bukur do zbulonte që vajza e saj e çmendur kishte pasur gjithmonë të drejtë dhe jo për një akt real mbrojtjeje ndaj meje. Ndërsa e vështroja të palëvizur në shtratin e vdekjes, të qetë në fytyrë nga pushimi i përjetshëm që sapo e kishte kapur, kuptova që edhe unë duhej të kisha kaluar përmes asaj faze, edhe pse ndihesha plotësisht e paaftë ta përfaqësoja, ta përshkruaja dhe t’jua tregoja të tjerëve, përveçse vetes sime. Dhe nuk mundja më t’ju bëja dëm me shfaqjen e mendimeve të mia, me dëshirën time për të zbuluar veten time tjetër tashmë të zhdukur prej shumë kohësh.
Jam bllokuar nga një kohë e përjetshme, e burgosur e një flluske transparente. Mijëra sfera të tjera celuloze levitojnë në ajër, duke mbështjellë të tjerë individë që, si unë, lëvizin rëndshëm brenda. Të gjithë përreth, si një tufë konfuze kafshësh, një grup njerëzish shfaqen përpara flluskave të mëdha: kërkojnë një pikë për t’u kapur dhe me sy lutës, lëvizin buzët dhe thonë fjalë që nuk arrij t’i kuptoj. Të largëta por të qarta janë kujtimet, si ëndrrat e harruara kur sapo zgjohem, por të qarta deri një moment më parë. Prekin mendjen time duke e turbulluar: edhe unë, për disa vite, duhet të kisha qenë atje jashtë, por nuk arrij të lidh kohën me imazhet dhe gjithçka mbetet në nivelin e luhatshëm të përshtypjes.
Kujtesa ime është një zbrazëti që herë pas here popullohet me imazhe bardhë e zi. Dhe nuk ka hapësirë as për një kujtim, në një zbrazëti kur kërkohet nga vullneti im. Përpiqem t’i paralajmëroj njerëzit për ndjenjat që provoj për t’i larguar, por nuk duket se më dëgjojnë ose shikojnë. Jam plotësisht e izoluar. Ata që janë jashtë, edhe pa më parë, tregojnë drejt meje në mënyra të çuditshme. Disa përkëdhelin sferat, të tjerët mbështesin kokën në to, duke u përpjekur të kapin çdo lëvizje minimale, ndërsa të tjerët ende buzëqeshin pa një motiv të dukshëm. Brenda meje rritet dyshimi se po marr pjesë në një shfaqje të vënë në skenë nga krijesa imagjinare: zhvendosje të mendjes në ndërgjegjen time të kaluar, të tashme dhe të ardhme, lojëra nga një e kaluar e harruar por jo e panjohur dhe të kthyera drejt një të ardhmeje të pasigurt. Nuk e di se ç’farë tregojnë fjalët që mendoj, ndoshta janë vetëm njohuri atavike, të mbetura për shekuj në nivel papërgjegjshmërie, por duken më të përshtatshmet për të shprehur atë që ndiej.
Edhe pse nuk jam e sigurt se jashtë është më mirë, dëshira për të dalë rritet brenda meje, duke bërë hapësirë me prepotencë: jam e lodhur nga nxehtësia e vakët dhe nga siguria e trishtë e flluskës. Filloj të kërkoj një çarje brenda qelizës, por ende po lodhem ta gjej. Kthimi në vegimet e lashta, pothuajse atavike, por pikërisht për këtë të sigurta, më ka penguar të shikoj vrullin tim të fundit. Vuajtja e fundit e jetës së djegur nga zjarri i vdekjes sime është rritur mbi gjithçka dhe gjithkënd, duke formuar një flluskë të re në të cilën trupi është rikompozuar. Por, askush nuk ishte në gjendje ta shihte. Ja, kanë humbur të gjithë rastin e mirë për të kuptuar, përfshirë mua. Ndoshta nuk do ta kuptojmë kurrë: risia sjell të panjohurën dhe frikën, ndërsa kujtimi të ngushëllon me qartësi dhe siguri.
Diçka